Shoqata e Biznesit Grek në Shqipëri zhvilloi një takim pune me Presidentin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Athinës (ACCI | Athens Chamber of Commerce and Industry), z. Ioannis Bratakos, në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për forcimin e marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe promovimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.
Gjatë takimit, u theksua rëndësia e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, me fokus në zhvillimin e iniciativave të përbashkëta që do të kontribuojnë në forcimin e lidhjeve ndërmjet komuniteteve të biznesit në të dy vendet. Diskutimet u përqendruan në krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim dhe investime, në interes të anëtarëve të të dy organizatave.
Njëkohësisht, u trajtuan perspektivat për forcimin dhe avancimin e rolit institucional të Shoqatës së Biznesit Grek në Shqipëri, duke e pozicionuar atë si një aktor kyç në zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike dhe të biznesit ndërmjet dy vendeve.
Të dyja palët shprehën vullnetin për të ndërmarrë iniciativa dhe aktivitete të përbashkëta në vijim, me qëllim krijimin e një mjedisi më të favorshëm për bashkëpunim dhe zhvillim të qëndrueshëm të biznesit ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.








