Albania Investment Council u mblodh nën drejtimin e Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj, me pjesëmarrjen e Ministrit të Shtetit për Vetëqeverisjen Vendore, z. Ervin Demo. Diskutimet u përqendruan në sfidat e vazhdueshme të sektorit privat, përparimin e dixhitalizimit të shërbimeve publike lokale dhe qëndrimin e komunitetit të biznesit lidhur me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Shoqata e Biznesit Grek në Shqipëri, e përfaqësuar nga Presidenti i saj z. Denald George Tafani, theksoi se dixhitalizimi përbën një reformë thelbësore për rritjen e transparencës, uljen e barrës administrative dhe forcimin e parashikueshmërisë në mjedisin e biznesit. Njëkohësisht, Presidenti nënvizoi se vlerësimi i rregullt i vendit nga agjencitë ndërkombëtare të vlerësimit, si S&P dhe Moody’s, duhet të jetë një prioritet strategjik i menjëhershëm për qeverinë, pasi mungesa e një vlerësimi të tillë kufizon ndjeshëm aksesin e vendit në fondet ndërkombëtare të investimeve.
Në mbledhje morën pjesë gjithashtu zëvendësministrat e Qeverisë së Shqipërisë, z. Endrit Yzeiraj dhe z. Enkelejd Musabelliu, Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, znj. Vasilika Vjero, si dhe Zëvendësguvernatorja e Bankës së Shqipërisë, znj. Natasha Ahmetaj. Të pranishëm ishin përfaqësues të lartë të organizatave ndërkombëtare, përfshirë Country Managerët e World Bank Albania, EBRD dhe IFC, përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, si dhe anëtarë të trupit diplomatik.

















