Shoqata e Biznesit Grek në Shqipëri mori pjesë në Breakfast Business Meeting, i cili u zhvillua në Athinë në kuadër të vizitës zyrtare të Ministres Elisa Spiropali dhe u organizua nga Delphi Economic Forum. Takimi shërbeu si një platformë e rëndësishme dialogu mbi marrëdhëniet ekonomike dypalëshe dhe perspektivat e bashkëpunimit ndërmjet biznesit grek dhe atij shqiptar.
Gjatë fjalës së tij, Presidenti i Shoqatës, z. Denald George Tafani, theksoi praninë afatgjatë dhe kontributin thelbësor të kompanive greke në Shqipëri, si dhe besimin e qëndrueshëm të komunitetit të biznesit grek në tregun shqiptar. Ai vuri në dukje se një mjedis biznesi i qëndrueshëm dhe i parashikueshëm, i harmonizuar plotësisht me standardet evropiane, përbën parakusht për rritje të qëndrueshme dhe investime cilësore.
Në vijim, Presidenti u ndal në rëndësinë strategjike të tregtisë dypalëshe, nevojën për përmirësimin e procedurave doganore dhe perspektivën e zbatimit të korridoreve të gjelbra, si mekanizma konkretë për lehtësimin e qarkullimit tregtar dhe forcimin e konkurrueshmërisë.
Në takim morën pjesë, ndër të tjerë, Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Greqi Luela Hajdaraga, Sekretari i Përgjithshëm për Marrëdhëniet Ekonomike Ndërkombëtare dhe Ekstroversionin, z. Dimitris Skalkos, Nënkryetarja e Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Athinës, znj. Sophia Efraimoglou – Kounenaki, Drejtoresha e AIDA, znj. Saro, si dhe përfaqësues të grupeve të mëdha të biznesit grek, institucioneve dhe mediave.
Presidenti i HBAA-së mori pjesë gjithashtu, me ftesë të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Greqi, në një takim të veçantë të organizuar në kuadër të vizitës zyrtare të Ministres, me pjesëmarrjen e ambasadorëve, përfaqësuesve institucionalë, sipërmarrësve dhe gazetarëve, duke konfirmuar rolin aktiv dhe të qëndrueshëm të Shoqatës në forcimin e dialogut ekonomik dypalësh.























