Shoqata e Biznesit Grek në Shqipëri merr pjesë për të dytin vit radhazi si Partner Zyrtar në Match Maker Albania 2, duke rikonfirmuar angazhimin e saj të vazhdueshëm në mbështetje të nismave që forcojnë rrjetëzimin, investimet dhe bashkëpunimin ekonomik ndërkufitar.
Eventi, i organizuar nga AIDA – Albanian Investment Development Agency, do të zhvillohet më 26.03.2026, në Pallatin e Kongreseve, në Tiranë dhe përbën një platformë të rëndësishme për komunitetin e biznesit, duke bashkuar kompani, investitorë dhe përfaqësues institucionalë nga Shqipëria, Greqia dhe tregu ndërkombëtar. Përmes kësaj pjesëmarrjeje, Shoqata kontribuon aktivisht në një iniciativë që nxit dialogun e drejtpërdrejtë, krijimin e partneriteteve të reja dhe zhvillimin e mundësive konkrete të bashkëpunimit.
Edicioni i këtij viti i “Match Maker Albania 2” është konceptuar rreth katër sektorëve strategjikë: Future Estate, Smart Agriculture, Digital Horizons dhe Power Next (Energy), duke krijuar hapësira të dedikuara ku kompanitë dhe institucionet mund të zhvillojnë takime të synuara B2B dhe B2G, prezantime projektesh dhe workshop-e tematike.








