Μe sukses të madh u përmbyll Forumi Ekonomik i Tiranës, i zhvilluar në kuadër të Delphi Economic Forum, dhe Shoqata e Biznesit Grek në Shqipëri pati nderin të jetë local partner i këtij organizimi.
Forumi u inaugurua nga Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, dhe u shoqërua nga një prezencë e lartë qeveritare, me pjesëmarrjen e Ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme znj. Elisa Spiropali, Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit znj. Delina Ibrahimaj, Ministrit të Mbrojtjes z. Pirro Vengu, Zëvendësministres së Infrastrukturës dhe Energjisë znj. Edona Bilali, si dhe Zëvendësministres së Punëve të Jashtme znj. Miriam Shyti.
Kjo pjesëmarrje e rëndësishme institucionale theksoi peshën politike dhe rëndësinë strategjike të temave të trajtuara gjatë Forumit.
Gjatë fjalës së tij, Presidenti i Shoqatës, z. Denald George Tafani, theksoi rëndësinë e një mjedisi biznesi të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm, të ndërlidhjes rajonale dhe të bashkëpunimit praktik ndërmjet komuniteteve të biznesit, si kushte thelbësore për forcimin e bashkëpunimit ekonomik në rajon.
Në të njëjtën kohë, Presidenti i Shoqatës vuri në pah kontributin e rëndësishëm të kompanive anëtare, të cilat punësojnë mbi 8.000 të punësuar në Shqipëri, gjenerojnë një xhiro vjetore afro 1 miliard euro dhe kontribuojnë rreth 3,3% në Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit, një kontribut real dhe i matshëm për ekonominë shqiptare. Ai nënvizoi rëndësinë e qasjes rajonale, duke theksuar se Greqia dhe Shqipëria mund të funksionojnë si shtylla stabiliteti dhe zhvillimi në Evropën Juglindore.
Paneli u përbë nga Ambasadori i Italisë në Shqipëri, z. Marco Alberti, Presidenti I Dhomës Profesionale të Athinës z. Giannis Chatzitheodosiou, Presidentit të AmCham Albania z. Grant Van Cleve, Regional Manager të AEO Association znj. Aida Nani dhe Austrian Trade Commissioner z. Christoph Sturm, nën moderim e gazetares së Euronews Albania, znj. Greta Topjana.
Vlerë të veçantë pati edhe mbështetja e kompanive anëtare të Shoqatës që kontribuan në Forum si sponsorë, përkatësisht PPC Albania (grupi PPC S.A.), Intermedica, Alumil Albania, EGNA Law Firm Navridis & Associates, Eurofast dhe Wolt, si edhe prania aktive e përfaqësuesve të tyre në panele të specializuara të eventit. Ndër ta ishin z. Vasil Llajo nga Intermedica, z. George Lantzas nga PPC Albania dhe znj. Valbona Begolli nga AlbGroup, duke konfirmuar rolin drejtues dhe aktiv të anëtarëve tanë në zhvillimin e ekonomisë shqiptare.
Po ashtu, rëndësi të veçantë pati prania dhe pjesëmarrja si folës e Sekretarit të Përgjithshëm për Ekstroversionin, z. Dimitris Skalkos, si dhe e Ambasadores së Greqisë në Shqipëri, znj. Konstantina Kamitsi, të cilët theksuan rëndësinë e ekstroversionit, diplomacisë ekonomike dhe forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe ekonomike midis Greqisë dhe Shqipërisë.
Tirana Economic Forum është rezultat i vizionit afatgjatë dhe iniciativës personale të z. Simeon Tsomokos, i cili që herët besoi në potencialin e Shqipërisë për të pritur diskutime të nivelit të lartë me rëndësi rajonale dhe evropiane.
Prania e përfaqësuesve të kompanive anëtare të Shoqatës në Forum konfirmoi rëndësinë që komuniteti ynë i biznesit i kushton dialogut institucional dhe formësimit të zhvillimeve ekonomike në Evropën Juglindore.
Tirana Economic Forum dëshmoi se bashkëpunimi ekonomik në Evropën Juglindore nuk përbën më një zgjedhje, por një domosdoshmëri për zhvillim të qëndrueshëm dhe stabilitet afatgjatë në rajon.

























































