Europe House, Tiranë – 10 Tetor 2025
Shoqata e Biznesit Grek në Shqipëri (HBAA) pati nderin të marrë pjesë në takimin me Grupin e Punës COELA (Working Party on Enlargement and Countries Negotiating Accession to the EU), zhvilluar në Europe House në Tiranë, më 10 Tetor 2025.
Presidenti i Shoqatës, z. Denald Tafani, mori pjesë në diskutim si folës, me ftesë të Ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, z. Silvio Gonzato, duke paraqitur qëndrimin e komunitetit të biznesit mbi sfidat me të cilat përballen bizneset në Shqipëri.
Gjatë ndërhyrjes së tij, z. Tafani theksoi nevojën për forcimin e sistemit gjyqësor, duke vënë në dukje se aktualisht në Shqipëri veprojnë vetëm 267 gjyqtarë aktivë me mbi 200,000 çështje të pazgjidhura, çka mund të çojë në vonesa deri në pesë vjet për gjykimin e një çështjeje në Gjykatën e Apelit. Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e zgjidhjes së çështjeve që lidhen me Kadastërën dhe titujt e pronësisë, të cilët mbeten një parakusht thelbësor për tërheqjen e investimeve dhe lehtësimin e aksesit në financim.
Një tjetër aspekt thelbësor ishte nevoja për forcimin e besimit ndaj institucioneve dhe transparencës institucionale, elementë kyç për stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Presidenti theksoi gjithashtu rëndësinë e përballjes me problemin demografik dhe ndalimin e largimit të të rinjve dhe profesionistëve të kualifikuar, për të ruajtur dinamizmin zhvillimor dhe për të forcuar kapitalin njerëzor të Shqipërisë.
Në përfundim, ai vuri në dukje rëndësinë e harmonizimit të saktë dhe gradual me acquis communautaire, duke marrë parasysh veçoritë e tregut vendas, si një faktor i rëndësishëm për forcimin e konkurrueshmërisë dhe atraktivitetit të vendit.
Shoqata e Biznesit Grek në Shqipëri mbetet e përkushtuar në mbështetjen e rrugëtimit evropian të Shqipërisë dhe në ndërtimin e një mjedisi të qëndrueshëm, transparent dhe tërheqës për bizneset.