Në mbrëmjen e 23 shtatorit, SOIRÉE 2026 bashkoi edhe një herë anëtarët, partnerët dhe miqtë e Shoqatës së Biznesit Grek në Shqipëri, duke vijuar traditën e një prej aktiviteteve më të veçanta të Shoqatës sonë.
Në SOIRÉE 2026 patëm nderin të mirëprisnim Ambasadoren e Greqisë në Shqipëri znj. Elina Komini, Zëvendësministren e Turizmit znj. Marinela Prifti , Zëvendësministrin e Drejtësisë z. Tedi Dobi dhe Zëvendësministrin e Financave z. Endrit Yzeiraj, së bashku me anëtarë të Kuvendit, përfaqësues të institucioneve dhe trupit diplomatik, si dhe drejtues e përfaqësues të rëndësishëm të komunitetit të biznesit grek dhe shqiptar.
Në fjalën e tij, Presidenti i Shoqatës, z. Denald George Tafani, theksoi se pas gati tri dekadash investimesh, vendesh pune dhe bashkëpunimesh, biznesi grek është sot pjesë e rëndësishme e jetës ekonomike të Shqipërisë.
“Ne nuk e konsiderojmë veten thjesht investitorë të huaj në Shqipëri. Jemi pjesë e jetës ekonomike të vendit dhe duam të jemi pjesë aktive edhe e progresit të tij” duke vënë në qendër vizionin e Shoqatës si një pikë takimi për njerëzit, idetë dhe bashkëpunimet
Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri vlerësoi përpjekjen e vazhdueshme të Shoqatës dhe anëtarëve të saj për të ecur përpara në mjedisin e biznesit në Shqipëri, si dhe bashkëpunimin e ngushtë me Ambasadën, me synimin për edhe më shumë iniciativa, takime dhe bashkëpunime produktive në dobi të sipërmarrjes dhe miqësisë greko-shqiptare.
SOIRÉE 2026 solli në qendër atë që për ne ka më shumë rëndësi: njerëzit, idetë dhe bashkëpunimet, në një mbrëmje takimesh, miqësie dhe mundësish të reja.
Mirënjohje të veçantë për të gjithë të ftuarit, anëtarët, partnerët dhe miqtë që na u bashkuan në SOIRÉE 2026, si dhe për kompaninë tonë anëtare LeSpot, për mbështetjen e saj të çmuar në realizimin e kësaj mbrëmjeje.



























































































































































