Shoqata e Biznesit Grek në Shqipëri organizoi me sukses të veçantë AI Business Summit II – AI in Practice, i cili u zhvillua më 25 qershor 2026 pranë Innovation Hub Piramida, në Tiranë.
AI Business Summit II u organizua në bashkëpunim me kompaninë globale të teknologjisë Accenture, me Raiffeisen Bank Albania në rolin e Platinum Partner, nën kujdesin e Ambasadës së Greqisë në Shqipëri dhe me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit të Shqipërisë si Partner Strategjik.
Me temën qendrore “AI in Practice”, samiti mblodhi mbi 200 pjesëmarrës nga sektori publik dhe privat, komuniteti akademik, si dhe ekosistemi i teknologjisë dhe inovacionit, duke konfirmuar rolin e tij si një nga platformat më të rëndësishme të dialogut për Inteligjencën Artificiale dhe transformimin dixhital në Shqipëri.
Punimet e samitit i hapi Presidenti i Shoqatës së Biznesit Grek në Shqipëri, z. Denald George Tafani, i cili në fjalën e tij përshëndetëse theksoi rëndësinë e Inteligjencës Artificiale si katalizator i transformimit dixhital, inovacionit dhe zhvillimit ekonomik, duke vënë në dukje rolin vendimtar të bashkëpunimit ndërmjet biznesit, institucioneve dhe komunitetit akademik.
Më pas vijuan fjalët përshëndetëse të Ambasadores së Greqisë në Shqipëri, znj. Lambrini Komini, Zëvendësministres për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, znj. Vilma Premti, Zëvendësministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, z. Martin Kajo, Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Raiffeisen Bank Albania, z. Christian Canacaris, si edhe Managing Director, Strategy & Consulting Lead i Accenture Greece, z. Fotis Panagiotopoulos, të cilët evidentuan rëndësinë strategjike të Inteligjencës Artificiale si një shtysë për zhvillimin ekonomik, rritjen e konkurrueshmërisë dhe përshpejtimin e transformimit dixhital.
Gjatë Samitit, drejtues të shquar të Accenture dhe folës ndërkombëtarë prezantuan zhvillimet më të fundit në fushën e Inteligjencës Artificiale, duke analizuar mënyrën se si AI po transformon tashmë sektorë kyç të ekonomisë. Prezantimet u fokusuan, ndër të tjera, në ndikimin e AI në rritjen e PBB-së, marketingun dhe shitjet, zhvillimin e softuerit, telekomunikacionin, industrinë, shërbimet financiare, sigurinë kibernetike, si dhe në aplikimet e AI Agents dhe Agentic AI në mjedisin modern të biznesit.
Interes të veçantë tërhoqi Panel Discussion “Building Albania’s AI Ecosystem”, i cili u përqendrua në kushtet e nevojshme për zhvillimin e një ekosistemi modern të Inteligjencës Artificiale në Shqipëri. Në panel morën pjesë Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, znj. Enkelejda Muçaj, Zëvendësministri i Financave, z. Endrit Yzeiraj, Zëvendësdekane e Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit të Universitetit Politeknik të Tiranës, znj. Nelda Kote, si dhe Drejtoresha e Departamentit të Investimeve të Albanian Investment Development Agency (AIDA), znj. Sara Zotaj, ndërsa moderimin e diskutimit e bëri znj. Oriana Coku. Pjesëmarrësit nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet shtetit, biznesit dhe komunitetit akademik për ndërtimin e një ekosistemi konkurrues dhe të qëndrueshëm të Inteligjencës Artificiale, duke i kushtuar vëmendje të veçantë investimeve, zhvillimit të aftësive dixhitale dhe inovacionit.
Samiti përfshiu gjithashtu dy Fireside Chats, gjatë të cilëve përfaqësues të shquar të komunitetit të biznesit dhe sektorit të teknologjisë diskutuan sfidat dhe mundësitë që Inteligjenca Artificiale krijon për bizneset dhe ekonominë.
Në tërësi, AI Business Summit II dëshmoi se Inteligjenca Artificiale nuk përfaqëson më një teknologji të së ardhmes, por një faktor përcaktues për zhvillimin, produktivitetin dhe konkurrueshmërinë. Njëkohësisht, samiti konfirmoi se bashkëpunimi ndërmjet sektorit publik dhe atij privat, komunitetit akademik dhe organizatave ndërkombëtare përbën parakushtin themelor për shfrytëzimin e potencialit të AI në dobi të ekonomisë dhe shoqërisë.
Shoqata e Biznesit Grek në Shqipëri, duke mbetur e përkushtuar ndaj misionit të saj për promovimin e zhvillimit të biznesit, inovacionit dhe bashkëpunimit ekonomik greko-shqiptar, do të vazhdojë të ndërmarrë iniciativa me vlerë të lartë të shtuar, duke kontribuar në mënyrë aktive në dialogun mbi teknologjitë që po formësojnë të ardhmen e sipërmarrjes.

































































