Në ditën e hapjes së Lojërave Olimpike në Paris, u realizua me sukses eventi «Lojërat Olimpike dhe Antikiteti» në Piramidën e Tiranës. Ky event u organizua nga organizata Argjiro në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ambasadën e Greqisë në Shqipëri, Ambasadën Franceze në Tiranë dhe me mbështetjen e Shoqatës së Biznesit Grek në Shqipëri.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të ndjekin ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike, duke shtuar një dozë entuziazmi dhe feste në mbrëmje.
Gjatë eventit, u shfaq filmi grek «Agones: From Myth to Revival», një dokumentar që eksploron historinë dhe rinovimin e Lojërave Olimpike të vitit 1896. Dokumentari ofroi një perspektivë të freskët dhe frymëzuese mbi këtë ngjarje të rëndësishme në historinë sportive.
Gjithashtu, u prezantuan dhe podcastet me titull «Anonimi i Artit të Grushtimit» që theksojnë emocionet, sukseset dhe historitë e atletëve të shquar të së kaluarës dhe të së tashmes.
Ishte një mbrëmje plot frymëzim dhe kujtime, duke nderuar frymën dhe trashëgiminë e Lojërave Olimpike. Falenderojmë të gjithë ata që morën pjesë dhe kontribuan në këtë festë!