Shoqata e Biznesit Grek në Shqipëri (HBAA) dhe anëtarët e saj morën pjesë aktivisht në workshopin tematik të mbajtur më 15 Korrik 2025, i cili u përqendrua në legjislacionin e ri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në kuadër të Kapitullit 23 të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Pjesëmarrja e HBAA-së në këtë aktivitet konfirmon përkushtimin e komunitetit të biznesit për një përputhshmëri të përgjegjshme me Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR), forcimin e transparencës dhe garantimin e mbrojtjes efektive të të dhënave personale në sektorin privat.
Gjatë aktivitetit, Znj. Blerta Nerguti, Sekretare e Përgjithshme pranë Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale u shpreh se Zyra e Komisionierit ka një rol të rëndësishëm në procesin e negociatave, pasi merr pjesë në disa kapituj të këtij procesi.
Në vijim, Z. Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv, European Movement Albania, u shpreh se këto ndërmarrje politikash dhe nismash ligjore duhet të jenë edhe procese sa më gjithëpërfshirëse, jo vetëm përafrime me legjislacionin e BE-së.
Më pas, znj. Nerguti dhe znj. Pjerina Mema, Drejtore e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, pranë Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, prezantuan pjesën teknike mbi kontributin në procesin “screening”, përafrimin me GDPR dhe aktet nënligjore të miratuara.
Gjithhstu, znj. Zuzana Motúzová, eksperte për GDPR dhe avokate nga Sllovakia, solli në vëmendje se vështirësia e GDPR-së qëndron në faktin që ajo është e zbatueshme direkt, por në rastin e Sllovakisë, shumë shpesh institucionet publike e kanë interpretuar në forma të ndryshme, duke krijuar sfida dhe pasiguri.
Pjesëmarrësit u përfshinë në një diskutim aktiv me pyetje dhe komente mbi procesin e hartimit dhe miratimit të akteve nënligjore të ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Shoqata e Biznesit Grek në Shqipëri (HBAA) shpreh mirënjohjen e saj ndaj organizatorëve – Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, EMA – European Movement Albania (Lëvizja Europiane në Shqipëri), si dhe të gjithë aktorëve institucionalë dhe privatë për ftesën dhe dialogun konstruktiv.
HBAA mbetet e përkushtuar në informimin e saktë të anëtarëve të saj dhe pjesëmarrjen aktive në të gjitha fazat e dialogut evropian të reformave që ndikojnë në klimën e biznesit në Shqipëri.














