Me rastin e 20 vjetorit të themelimit, Shoqata e Bizne
sit Grek në Shqipëri organizoi këtë të hënë një mbrëmje festive gala në ambientet e Hotel Plaza në Tiranë. Eventi mblodhi më shumë se 100 të ftuar nga anëtarët aktualë dhe bashkëpunëtorët e shoqatës ndër vite.
Të ftuar nderi të mbrëmjes ishin Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri znj. Konstantina Kamitsi dhe Ambasadorja e Israelit znj. Galit Peleg, të cilat gjatë fjalës përshëndetëse falenderuan për ftesën dhe përcollën mesazhe paqeje dhe uniteti.
Presidenti i Shoqatës z. Denald -George Tafani falënderoi anëtarët dhe bordin drejtues për përpjekjet e tyre gjatë dy dekadave të fundit dhe shprehu dëshirën që Shoqata të udhëheqë sipërmarrjen greke në Shqipëri, drejt një epoke të re. Gjithashtu, gjatë fjalimit të tij shprehu në emër të Bordit Drejtues, solidaritetin e Shoqates të Biznesit Grek në Shqipëri për popullin e Izraelit. Fatkeqësisht, Kryeministri i Greqisë, z. Mitsotakis, nuk mundi të merrte pjesë në aktivitet, por përmes një mesazhi me shkrim shprehu vlerësimin e tij për aktivitetin e Shoqatës në favor të zhvillimit të sipërmarrjes së shëndetshme greke në Shqipëri, si dhe mbështetjen e pandarë të qeverisë greke.
Sponsor kryesorë të eventit ishin kompanitë Antea Cement (Titan Group), Perparimi Steel, Raiffeisen Bank dhe Sideral (Sidenor Group). Për realizimin e mbrëmjes kompania Alehandro Group ofroi verën, ndërsa V+O Communication dha mbështetjen për promovimin e eventit.
Mbrëmja ishte jo vetëm një festë për historinë e pasur të shoqatës, por ofroi një mundësi për anëtarët dhe bashkëpunëtorët e saj për të shkëmbyer mendime mbi të gjitha çështjet aktuale, të biznesit ose jo, në një atmosferë të relaksuar. Eventi i 20-vjetorit u shoqërua me ushqim, pije, muzikë, ceremoninë e prerjes së tortës dhe prezantimin e logos së re të Shoqatës. Një natë e veçantë që të gjithë do dëshironin të përsëritej.