Shoqata e Biznesit Grek në Shqipëri mori pjesë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Investimeve (Albania Investment Council), e përfaqësuar nga Presidenti i saj, z. Denald George Tafani. Në qendër të diskutimeve ishte siguria juridike e të drejtave të pronësisë, një çështje me rëndësi të veçantë për garantimin e një klime të qëndrueshme dhe tërheqëse për investimet.
Mbledhja u zhvillua nën drejtimin e Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj, me pjesëmarrjen e Drejtoreshës së Përgjithshme të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), znj. Lorena Goxhobelli, si dhe përfaqësuesve të institucioneve dhe komunitetit të biznesit.
Gjatë diskutimeve u vlerësua progresi i arritur ndër vite, ndërsa u evidentuan edhe sfidat që vazhdojnë të ekzistojnë në procesin e dixhitalizimit dhe funksionimin e sistemit kadastral. Këto sfida ndikojnë drejtpërdrejt në parashikueshmërinë, sigurinë e investimeve dhe besimin e biznesit ndaj kuadrit institucional.
Mbrojtja e të drejtave të pronësisë përbën një element themelor për zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve, duke kontribuar në krijimin e një mjedisi biznesi transparent, të besueshëm dhe konkurrues.
Shoqata e Biznesit Grek në Shqipëri mori pjesë aktive në këtë mbledhje, duke riafirmuar angazhimin e saj të vazhdueshëm për të kontribuar në dialogun konstruktiv ndërmjet sektorit publik dhe atij privat, si dhe për të mbështetur iniciativa që forcojnë sigurinë juridike dhe përmirësojnë klimën e të bërit biznes në vend.


















