Me shumë kënaqësi mbështetëm Samitin e 5-të të Gruas së Diasporës, që u zhvillua më 11 tetor, me temën “Duke udhëhequr rrugën drejt Bashkimit Evropian”. Folës të rëndësishëm, si z. Igli Hasani, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, z. Karl Bergner, Ambasadori Gjerman në Shqipëri, znj. Linda Rama, eksperte për Politikat Publike dhe Çështjet Zhvillimore, znj. Delina Ibrahimaj, Ministre e Sipërmarrjes dhe Klimës së Biznesit, dhe znj. Diana Leka, kryetare e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve, morën pjesë në këtë samit duke analizuar sfidat dhe mundësitë kyçe për gratë sipërmarrëse.
Sesionet u përqendruan në integrimin e bizneseve shqiptare në tregun evropian, duke theksuar rolin e grave në inovacion, transformimin dixhital dhe sfidat me të cilat përballen ato në biznes. Samiti bashkoi gra nga e gjithë bota, duke ofruar një platformë të fuqishme për shkëmbim idesh dhe për të forcuar rrjetet ndërkombëtare të grave.
Ngjarja përfundoi me një Gala Dinner zyrtare, ku mori pjesë Drejtoresha Ekzekutive znj. Erifili Berberi së bashku me gratë anëtare të Shoqatës. Samiti ishte një mundësi e shkëlqyer për të rritur bashkëpunimin dhe për të promovuar rolin e grave në nivel global.