Nën Kryesinë e Ministrit të Financave z. Petrit Malaj, u zhvillua mbledhja e parë e Këshillit Tatimor për vitin 2025, ku Shoqata e Biznesit Greke në Shqipëri është anëtare që nga viti i kaluar.
Shoqata përfaqësohet në Këshillin Tatimor nga znj. Anisa Jasini, Drejtoreshë e Departamentit Tatimor në kompaninë anëtare EY Albania.
Rendi i Ditës të mbledhjes përfshinte:
- Diskutim mbi aktet rregullatore në fuqi të legjislacionit fiskal dhe analizimi i përputhshmërisë së akteve rregullatore me ligjet fiskale.
- Propozimi i dispozitave të akteve rregullatore, të cilat vlerësohen se lind nevoja për ndryshime.
Ministri i Financave paraqiti planin për rishikimin e udhëzimeve tatimore dhe një plan të ri udhëzimi tatimor për ligjin e të ardhurave tatimore, me ndryshime që bazohen në përvojën e vitit të parë të zbatimit të ligjit.
Shoqata, përmes përfaqësueses së saj, në ndërhyrjen e saj ngriti disa çështje dhe probleme që shqetësojnë ose kërkojnë sqarime të mëtejshme nga anëtarët e Shoqatës, si:
- Zbritshmëria e shpenzimeve për shërbime teknike, konsulence dhe menaxhimi të marra nga jashtë, të cilat paguhen në vitet pasardhëse. Ligji parashikon që ato zbriten në vitin kur paguhen, ndërsa udhëzimi e kufizon zbritshmërinë deri në vitin pasardhës.
- Tatimi i të ardhurave nga dividendët nga pjesëmarrjet nën 10%. Ligji parashikon një tatim prej 8%, ndërsa udhëzimi jep një shembull ku tatohen me 15%.
- Detyrimi për të mbajtur tatim në burim mbi shpenzimet e transportit ndërkombëtar, qiratë nga jashtë dhe interesat e paguara për bankat dhe institucionet financiare. .
- Tatimi i kuponave të shpërndara punonjësve.
- Ndryshimi i udhëzimit nga Ministria, për procedurat për shmangien e tatimit të dyfishtë, duke rivendosur disa kërkesa dhe procedura të paarsyeshme që e vështirësojnë procesin.
Shoqata mbetet e angazhuar për të mbështetur iniciativat që përmirësojnë kuadrin fiskal në Shqipëri.