Me sukses dhe në prani të Kryeministrit grek z. Kyriakos Mitsotakis në një darkë zyrtare, u përmbyll Thessaloniki Summit 2025, i cili u organizua për herë të 8-të nga Shoqata e Industrisë së Greqisë dhe Forumit Economik Delphi.
#ThessalonikiSummit2025 u shndërrua në një pikë takimi për vendimmarrësit e rajonit, ku zyrtarë evropianë, politikanë të rëndësishëm dhe sipërmarrës analizuan dhe diskutuan çështjet thelbësore për zhvillimin ekonomik të rajonit e më gjerë.
Presidenti i Shoqatës së Biznesit Grek në Shqipëri, z. Denald George Tafani, mori pjesë në panelin me temë “Diplomacia Ekonomike në Ballkan”, ku shkëmbeu mendime me Zëvendësministrin e Jashtëm të Greqisë, përgjegjës për Diplomacinë Ekonomike, z. Tasos Chatzivasileiou, Presidentin e Shoqatës së Eksportuesve të Greqisë Veriore, z. Simeon Diamantidis, Nënkryetarin e Dhomës Bullgare të Tregtisë dhe Industrisë, z. Krasimir Dachev, Drejtoreshën Ekzekutive të Invest Bulgaria Agency, znj. Mila Nenova, si dhe Presidentin dhe Drejtorin e ALUMIL, z. Giorgos Mylonas. Diskutimin e moderoi gazetarja e AlphaTV, znj. Maria Nikoltsiou.
Në fjalën e tij, Presidenti i Shoqatës së Biznesit Grek në Shqipëri z. Tafani:
- Bëri një përmbledhje të bashkëpunimit mes Greqisë dhe Shqipërisë, duke theksuar se, pavarësisht tkurrjes së investimeve greke gjatë viteve të fundit, Greqia mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë dhe investues për Shqipërinë.
- Nënvizoi se Greqia, si vendi më i fuqishëm ekonomikisht i rajonit tonë, duhet të ketë një prani më aktive. Know-how dhe eksperienca e madhe që kanë bizneset dhe organizatat private dhe publike greke është e paçmueshme në periudhën e përgatitjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin e tyre në BE.
- Diskutoi për mundësitë e shumta dhe sfidat që paraqet tregu dhe klima e biznesit në Shqipëri.
- Theksoi se Shoqata e Biznesit Grek në Shqipëri, si e vetmja organizatë që përfaqëson dhe mbështet interesat e bizneseve greke në vend për më shumë se dy dekada, është e përkushtuar ndaj zhvillimit dhe forcimit të marrëdhënieve ekonomike, tregtare, industriale, arsimore dhe kulturore mes Shqipërisë dhe Greqisë. Shoqata qëndron e gatshme për të ndihmuar bizneset Greke që dëshirojnë të ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri.