Në qytetin e Korçës u zhvillua takimi i tretë i Komitetit të Monitorimit në kuadër të Programit Interreg VI-A Greqi–Shqipëri 2021–2027. Në takim morën pjesë anëtarët e Komitetit, përfaqësues nga Autoriteti Menaxhues i programit, Sekretariati i Përbashkët si edhe Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës.
Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, znj. Eridana Çano, theksoi rëndësinë e rolit të çdo anëtari në përzgjedhjen e projekt-propozimeve, duke vënë në pah nevojën për përputhje me objektivat e programit dhe prioritetet zhvillimore të Shqipërisë.
Thirrja e parë për propozime pati një interes të jashtëzakonshëm, me projekt-propozime që tejkaluan të paktën dhjetëfish buxhetin e disponueshëm prej 17 milionë euro. Takimi u përmbyll me miratimin e 17 projekteve, të cilat pritet të kenë ndikim të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar dhe zhvillimin rajonal në të dy vendet.